Monday 17 May 2010

GEGNISHTE




Me një gegnishte t'ambël
ti s'len pa ma l'kundë dhimbën e vajit,
tue ma kujtue fatin e Artemidës.

Më flet për Penelopën, e andej
gërryen tunele të mshefta për amshimin.

Po m'shkund syve hi. I përbij fjalët idhët,
dhe pa mujt me thanë atë që të dy e dimë
mbështetem për fatin tem Artemidë.



HESHTJA QË FLET



Shmangie pas reshë
Mëngjese t'murrme derdhen
mbi ujërat e rudinës.

Ndjej
se si lëshohet drujshëm
një embrion veze
pëlhurëmjegullt mbështjell

dhe i jepet valëzës ndjerë
njejtë sic erdh
n't'kaluem,
në curg t'burimit
hir e pahir

E aty ku së fundi syri i qiellit
shkrepte një shend,
pellgëzon një rrënjë liqeni.
Përpëlitet malli në buzë.

Në ballin hijerëndë
mblidhen palët rrëfenjëse.
- E kotë heshtja,
pikllimi është art n'vete!


FRYMZIMI BIE NGA KULMI I POEZISË



Stuhishëm erdhe,
ti paksa n't'hujshëm
e unë e trembur paksa.
Po unë e dija,
furtunat nuk zgjasin shumë
vec se cojnë rrëmujë.
Kisha të drejt.Pas pak të heshtur u gjetëm,
e të stepur në cast
para filizit që edhe qiellin prekte.

Lodhej e e clodhej shpirti
nga druekëputja e drithërimat
tek të mbërrija pak e nga pak.
Ehuu ! Sa ulët mund të binte rrëzimi
nga lartësitë që vetë i ngritëm,
si një poezi e rënë nga kulmi i frymëzimit.

Po tashti... ?
Qiellit të leckosur celen e mshelen dhimbjet.
rreze t'këputura, djegshëm zhbirojnë
e dhëmbin si fjalë të lëna përgjysmë;
e ditura s'ka pse të thuhet,
e heshtura, vec se ndrydh.
Mbijnë poema t'degëzuara
që mbahen rrënjëve të veta.

- N'ashtë!
Ani n'ashtë!
Se kur dhimbja kullohet vesmëngjesesh,
vec aty lindin ndjenja të mëdha.