Sunday, 3 April 2011

Njerzore

Ndonjëherë...
ke për të rënë ulët,
në mos si kalldrëm i gurtë,
do të ndjesh vec lëkurën mëndafsh
nën shputat e buta që kalojnë mbi ty
egërsisht.

Dhe lartësive,
tehet e shpatave t'ajrit
tmerrshëm kanë për tu endur nëpër flokë,
si krehër do të duken.
Veten do ta shohësh ndryshe,
si një shpend të sigurt,
e s'do ta njohësh.

Qielli ka me të josh, si puhiz zanore,
e rrezatorja, ka me të shkri
..asht ka me të lanë dhe s'do të ngopesh.

Hesht!
Se ti prapë do ti thuash shpirtit:
Mej!


Saturday, 26 March 2011

Pak diell



























A e di se i mungon pak diell
këtij dimri të marrë?
Më rrënqeth kjo stinë.
Mblidhem rreth vatre
e përhumbem në flakën e hajthme.

Notat e një simfonie katrrithen ndjerë
e mbështillen si gjethe të lëshuara
kërcellit që këlthet thatësi;
zgjohen poret shpërthyese nëpër te
e bie si polen një ngushëllim i rremë...

Psherëtima t'mekura
i thërrasin mëngjesit...
Më ruaj pikëvesën e fundit
për etin e tharë,
se tulipanja jote po fishket.

Wednesday, 9 March 2011

Ja që ndodh...





Ndonjëherë vetëvriten yjet,
e bien si lëmshorë zjarri
dhe bëhen britma deti.

Veç gurët e din!

Friday, 4 February 2011

Lutje

Fale..! Fale për dhembjen
që grryen si shati në temelin e tij të ri,
dhe për lotin fale,
qe si rrëke ujë-shejte i lan lëkurën asht,

e për rinin që thërmohet
si dheu i im't mbi shtratin e derrast',
sa trupi i ri vigan.

Vec mos e falë at mjegullin e errët
që ia mbuloi nëndëqindë e nëntëdhjetë e nentë udhë
që i kishte rruzulli i tij i blertë;
e si mbet të zgjedhë, përveq asaj që e pa;

atë dritë mashtruese,
e at kostarin e zi-veshur që i zgërdhihej prapa shpine
dhe i mbulonte trupin lehtas me hijen katran.

E kush i shpëtoi atij, kush, kush...
Ma gjejë nji t'gjallë - t'përtejshëm vdekjeje,
..veq nji ma gjejë,
që mortja i lypi arsye, e su dit kush ia dha ?!.

Fale te pafalshmën e t'pafajshmit,
dhe pendimin që e pa,
në majat e gishtrinjëve të këmbëve të veta
ku vështrimin e trembun e la.
Lutem...Fale!

FLIJ

Flij.

Flij dashuria ime flij

rrëzë liqenit...

-O e bukura ime e fjetur !

Vallja e valëve

qoft' harpa e zemrës sime.

Dhe kanga e pulbardhës;

të dërguarat e mia nga përtej kufiri...

Shkëmbehen anijet në liman.

Ndër të gjithë ardhacakët,

veq ti nuk je,

e veq unë nuk jam

mes shtegëtarësh...

..flij...

Përkundmi ëndrrat

deri në zgjim.

MOS PREK

Mos prek

nëpër tehun e mprehtë të dhimbjes

..mos!

Gjithçka po dhemb ndryshe nëpër lotët e tu.

Diku brenda hirit jam po ajo

që u harrua dikur a diku.



Unë s'kam m'su' me qa për f'minë,

madje as për gruan tashti.

Vonë është, vonë...

Oh, nanë! Pellgu i lotëve po lëvrin

nëpër mua t'heshtunën.

AH

Dhe ah!

E ngjeshur mungese, kjo ditë feste.

Davaritem kujtimesh:

- Të ikurit me të vdekurit,

të humburit me të shenj'tit;

po pse, pse të jet'shmit larg të gjallëve?!



Po të ishte...

Eh, po të ishte qyteti im

dhe lagjja ime e fundit, e fundmja strehë,

(shtëpia ime) guaca jonë e artë,

..e kjo lutje e fundit.

Pritja

Pritja s'ka të bëjë me kohën,
ka zemberekun e vet.
Më nuk i numrojmë kambanat e kishës së vjetër
se asgjë s'po përputhet me treguesit e plumbtët.

Motmoti u zharg orbitës së gjatë
e kalendari n'ditje po zbehet nikotinë,
ndoshta dhe pritja a mërzitë
e ne akoma su mërzitëm:
duke pritur!

..e po ndrrohen stinët,
po ikin dhe vitet e djegshme;
por në s'ditëm për të pritë,
si do të msonim ndryshe-me dashtë
deri në dhimbje.

Kapronjtë

Mbaj mend
rrezatimin e hënës ndërmjet degëpishave
dhe fërshfërimën e blenit t'flokut nëpër gushë.
(Aq largë shpie flladi i pranverës!)

..Hapat balerinë pas trokthit të një drenushe
shteg'humbur,
turbullirave të pyllit një mijë çudirash,
dhe rr'zimi i brishtësisë, para vështrimit gjuetari,
gjatë do t'mbahen mend.
(-Si nuk e vrave?!).

..pëllëmbën mbi trokllimën e trembur nën gëzof,
ngrohtësi erëmali,ndjellje as në ndjekje, athua t'kujtohet?
Apo harrove kapronjën që kishte një jetë në ikje,
e ma s't'u shqit', derisa një vjeshte...

U zhyt pylli mjegullinave,
e pas çdo trungu kishte nga një hije,
ku secila ngjante pak e më pak në ty.
Të priti gjatë nën një pishë.

Eh, su gjetët ma kurrë,
e trishtimi ndoqi trokthet bashkë me erën,
pa e ditur n'i largohet m'shirës a dashurisë.
(Ç'i dha ngrohtësia e dorës një kapronje aq të egër?!)

Mbaj mend e kujtoj...e nata pa hanë;
lëkurës m'i rrënqethet një freski fëshfërime,
dhe e plogësht bie brymnaja mbi blenin e flokut
si lotët e drenushës nën degët e k'saj pishe.

Kapronjtë

Po shkundet stinët



























Janë tha sytë e vranët, netëve
netëve të nemuna janë shterë...zemër.
Po unë ndryshe s'di as s'mundem.

Po shkunden stinët,
kanë ra dej gjethesh nëpër lëkurë.
Po varrët kush me i pa?

Ky vend, këta gur, këta njerz
dhe kjo heshtje e rrëpirët...
-Ooo paskam faj që jam grua!

Monday, 17 May 2010

GEGNISHTE




Me një gegnishte t'ambël
ti s'len pa ma l'kundë dhimbën e vajit,
tue ma kujtue fatin e Artemidës.

Më flet për Penelopën, e andej
gërryen tunele të mshefta për amshimin.

Po m'shkund syve hi. I përbij fjalët idhët,
dhe pa mujt me thanë atë që të dy e dimë
mbështetem për fatin tem Artemidë.



HESHTJA QË FLET



Shmangie pas reshë
Mëngjese t'murrme derdhen
mbi ujërat e rudinës.

Ndjej
se si lëshohet drujshëm
një embrion veze
pëlhurëmjegullt mbështjell

dhe i jepet valëzës ndjerë
njejtë sic erdh
n't'kaluem,
në curg t'burimit
hir e pahir

E aty ku së fundi syri i qiellit
shkrepte një shend,
pellgëzon një rrënjë liqeni.
Përpëlitet malli në buzë.

Në ballin hijerëndë
mblidhen palët rrëfenjëse.
- E kotë heshtja,
pikllimi është art n'vete!


FRYMZIMI BIE NGA KULMI I POEZISË



Stuhishëm erdhe,
ti paksa n't'hujshëm
e unë e trembur paksa.
Po unë e dija,
furtunat nuk zgjasin shumë
vec se cojnë rrëmujë.
Kisha të drejt.Pas pak të heshtur u gjetëm,
e të stepur në cast
para filizit që edhe qiellin prekte.

Lodhej e e clodhej shpirti
nga druekëputja e drithërimat
tek të mbërrija pak e nga pak.
Ehuu ! Sa ulët mund të binte rrëzimi
nga lartësitë që vetë i ngritëm,
si një poezi e rënë nga kulmi i frymëzimit.

Po tashti... ?
Qiellit të leckosur celen e mshelen dhimbjet.
rreze t'këputura, djegshëm zhbirojnë
e dhëmbin si fjalë të lëna përgjysmë;
e ditura s'ka pse të thuhet,
e heshtura, vec se ndrydh.
Mbijnë poema t'degëzuara
që mbahen rrënjëve të veta.

- N'ashtë!
Ani n'ashtë!
Se kur dhimbja kullohet vesmëngjesesh,
vec aty lindin ndjenja të mëdha.


Friday, 30 April 2010

Thursday, 29 April 2010

ATY KU JANE TE NGUJARA LUMNITE

KUVENDIMET E SHENJTA LIRIKE
MBI DASHURINË E JETËN
(Në vend të recensionit)



E ndarë në tre cikle, a në tre oratorio, sipas parimit të kompozicionit e sipas strukturimit muzikor, libri poetik "Aty ku janë të ngujuara lumnitë" sugjeron dialogët e shenjtë... me dashurinë, të bukurën, përgjërimin, me ecjen e shenjtë nëpër hapësirat e shpirtit. Krijuesja, duke depërtuar nëpër sa e sa dekada, të themi kushtimisht, nëpër vorbullat e ofshamën e mikrouniversit të saj, ajo e thur lirikën e saj si një memorie lirike të këtij universi të kënduar në epin e saj lirik. Poezitë që e përbëjnë një tërësi interesante, fillimisht gjallnojnë në memorien e krijueses e mandej në trajtën e shkruar të poezisë. Dhe secila prej tyre së pari është tekst, tekst letrar e mandej është ide, motiv, temë: jetë dhe dashuri, baladë dhe pikëllim. Secila prej tyre ka shpirtin e saj, është lule, lumni e ngujuar në vetmi e në varg, në mall e në kohën gjithë thyerje.

1.
Dashuria këtu është temë supreme e artit poetik. Dhe të këndosh për dashurinë, është njësoj si të këndosh për jetën dhe të bukurën, lulen, jargavanin, trëndafilin. Sikur edhe njëherë na ringjallet miti i i dikurshëm i poezisë si mbretëreshë e arteve, si lule mbi të gjitha lulet. Së këndejmi, premisat teorike na ligjërojnë për situatat e pastërtisë burimore, aty ku embrioni i një kënge shfaqet në trajtën e strukturës së mbyllur, ku uni poetik është qendër e universit, botës, aty ku ekziston vetëm një qenie, qenia e poetes në kontekstin tematik të dashurisë:

Të paktit do të dinë,
se poezia lind nga hiri
e kthehet në varg të prushtë
buzësh të përflakta.
Poetja kërkon, eksploron, gjurmon në hapësirat e kësaj ndenjeje universale...Fjala dashuri këtu tingëllon aq e thjeshtë, e drejtpërdrejtë dhe e sinqertë, po aq sa na shfaqet nëpër hapësirat e ndërlikuara të qenies, kur i tërë vëllimi shfaqet si peizazh i dashurisë, si përvojë e ndërliqshme njerëzore, si zgjerim dhe shtrije ideore e kuptimore e fushëveprimit të cilësisë së dashurisë. Te ky peizazh nuk është e habitshme pse fjalët si dhimbje, trishtim, kujtesë, vuajtje, zgjerohet me hapësira të tjera semantike, deri aty ku kjo temë nuk mund t'i shmanget as vdekjes, as fantazmave dhe hijeve të saj. Erosi edhe këtu e ngërthen tanatosin. Subjekti lirik i dashurisë gati sa nuk është një qenie hyjnore, e cila krijon atmosferën me praninë e saj, krijon pranverën dhe vjeshtën, pemën dhe pasionin, emocionin dhe kujtesën, deliret dhe ndarjen, përafrimet dhe mallin. Porse ky folës lirik asnjëherë nuk zbret në rrafshin e një përdhosjeje të kësaj ndenjeje si potencë seksuale. Jo. Kjo ndjenjë shfaqet përherë si imanentë spirituale, si emocion i shenjtë, i përsosur...gati-gati si emocion platonik me pamjet e saj metaforike. Në diskursin e saj lirik, nocionet e dashurisë si dhembshuri e pakufizuar... janë gjithnjë në traditën e thelbit hyjnor të këndimit lirik, një si metafizikë e dashurisë. Vlerat që formojnë këtë diskurs, mbështeten në gamën e gjerë të memories dashurore, me begatimin e marrëdhënieve dashurore, nga njëra anë, si dhe të rolit të metaforave dhe të ligjërimit të figurshëm në thurjen e kuptimeve të dashurisë.

2.
Në struktrën kontrastive të poezisë MEDET, këndohet lajtmotivi i vajit të tashëm për gazin e djeshëm! E djeshmja: buzëqeshje e fatit, gaz nën sytë e tu, një ninullë e ëndshme... E përtashmja: ankth e vaj kujtese, me gjakimin e tashëm për ta ribërë edhe njëherë atë të shkuar të përdiellshme: medet, lulearrat e pjekura që bien për dhe pamëshirshëm, një përkundje e tyre në djepin e shpirtit, një pritje e trishtë, një shtresim dhimbjesh... Ndërkaq, edhe figuracioni i përzgjedhur, metaforika e përdiellshme me krahasimet e ndritshme, funksionalizohet kundruall një zymtësie lirike të përtashme. Folësi lirik (Uni poetik) i drejtohet një kohe, të cilës nuk i ka munguar një Vetje Tjetër, një Vetjeje të Dytë qenieplotë ("si gazin nën sytë e tu dikur") , që i ka dhënë kuptim plotnisë së qenies...mbase me aktin dashuror. Por ribërja është mbase e pamundur, është si një dhimbje për dhimbjen. Lirikën e lind dhimbja, vuajtja...thuhej në antikë. Dhe kjo dhimbje mbi dhimbjen dikur e tash, është tharmi i frymëzimit lirik edhe te kjo poezi.

3.
Teksti i tillë na është personal, i veçantë, tekst i rrëfyer, intim, i sinqertë.... Kategoria e të sinqertës...a nuk e përbën edhe një vatër arti, artin vetë? Poetja sikur na thotë se teksti poetik mund të ekzistojë vetëm në veten e parë. Madje, krijuesja sikur nuk pranon tjetër model të shkrimit poetik. Poezitë janë projektuar nëpërmes kësaj thjerrëze të prekshme, të ndjeshme dhe emotive, kryesisht të diskursit erotik: Unë me Tjetrin, ose pa Të; dhe, aty-këtu, të një diskursi intelektual: unë me veten ose pa veten. Te e fundit, a nuk është ky model që nga burimet e kryehershme të poezisë? Që nga traditat e saj parahomerike?
Nga ana tjetër, sado që thënia e tillë përgjërohet kah misteri i qenies lirike, megjithatë folësi lirik nuk dëshiron të fshehë asgjë, ajo dëshiron t'i zbërthejë enigmat e këtij emocioni memorial. Te poezia, së këndejmi, duke qenë një realitet i strukturuar krejtësisht ndryshe nga ai i mirëfillti, nga realiteti i njëmendët; nuk është e habitshme pse poetja përdor dhe shfrytëzon figurat dhe imazhet mbireale, fantastike, një si botë poetike virtuale. E, në këso rastesh, lirika e këtij vëllimi përafrohet me diskursin modern të botës së ideve poetike, porse pa pretendimin për ta vështirësuar komunikimin lirik dhe pa pretendimin që fjala të mëveshët me shumëkuptimësinë, me polisemantizmin aq të kërkuar të lirikës së sotme. Kjo lirikë, madje, duke i shprehur situatat psikike, emocionale me anë të ritmit krejtësisht të lirshëm poetik; së andejmi i çliron sferat e ndërdijes së folësit lirik, ashtu sikundër kjo lirikë e ngërthen edhe sferën racionale të idesë e të thënies lirike. Hegel do të thoshte se poezia qëndron në shkallën më të lartë të vlerave artistike, pikërisht për faktin që në sintezën e tillë i ngërthen edhe sferën irracionale, edhe atë racionale. Falë elementeve jetësore, biografike, poezia e tillë gati sa nuk bëhet një biolirikë... një biografi e shpirtit të dashurisë. Porse vëllimi në tri oratorio ngërthen edhe funksione të tjera esenciale të ligjërimit poetik. Roman Jakobson do të thoshte se ato funskione thelbësore të këtij ligjërimi na janë funksioni referencial, emotiv, konotativ, faktik, metalinguistik dhe poetik. Këto funksione hetohen zbërthyeshëm edhe t kjo lirikë.

Prend BUZHALA
shkurt 2010

KUVENDIMET E SHENJTA LIRIKE MBI DASHURINË E JETËN (Në vend të recensionit)

Wednesday, 12 August 2009
























Oh, braktisje! Ngreh e nuk këputesh,
e më pastajë, bie tkurrshëm në honin ma t'thelltë të zemrës.
A iket nga vetëvetja më tej se kaq ?

Monday, 27 July 2009



















Arnulf Øverland
(përkthim)


Nënshtrim


Aq kujdeshëm vije nata, aq miqësore, e ngroht dhe e e gjallë,
dhe terrohet tek të gjithë, tek të moqmit dhe tek ata dy.
E errësira më fsheh, dhe bën mirë kështu,
se pak ka dallim qarja nga të qeshurit.

Këtu tani për shembull hec nji endacak këtej
dhe i dërgon syt e gjatë drejt secilit parmak të ndriquar
dhe pret kinse asgjë s'do të ndodhë,
sepse nëse ndodhë dicka, do të jet shumë e cuditshme.

E rruga shqyen vrima të jashtzakonshme këpucëve të mia.
Pran meje shushurisin fustane. Automobilat i bien borive.
Unë i numroi të gjithë t'përgjumurit dhe të zgjuarit parmakë.
Por për dëshirën e zotit vazhdojn qifte pas qiftesh të prehen.

Atje është ! Qiriu ende digjet në dhomën e saj.
E di se atje banon një t'cilën e njoh në heshtje.
Dhe ajo i ka syt e kafët. Por ne s'jemi miqë.
Dhe e nemitur bëhet nata për mua, si goja e saj eshtë nemitur,
dhe e shurdhër për të gjitha lutjet si veshët e saj nga frika e të kobshmës.
Ngujuar është ajo zemra e vogël dhe ajo porta e kthinës së vockël.
Atje është. Qiriu ende digjet në dhomën e saj.