Monday 17 May 2010

GEGNISHTE




Me një gegnishte t'ambël
ti s'len pa ma l'kundë dhimbën e vajit,
tue ma kujtue fatin e Artemidës.

Më flet për Penelopën, e andej
gërryen tunele të mshefta për amshimin.

Po m'shkund syve hi. I përbij fjalët idhët,
dhe pa mujt me thanë atë që të dy e dimë
mbështetem për fatin tem Artemidë.



HESHTJA QË FLET



Shmangie pas reshë
Mëngjese t'murrme derdhen
mbi ujërat e rudinës.

Ndjej
se si lëshohet drujshëm
një embrion veze
pëlhurëmjegullt mbështjell

dhe i jepet valëzës ndjerë
njejtë sic erdh
n't'kaluem,
në curg t'burimit
hir e pahir

E aty ku së fundi syri i qiellit
shkrepte një shend,
pellgëzon një rrënjë liqeni.
Përpëlitet malli në buzë.

Në ballin hijerëndë
mblidhen palët rrëfenjëse.
- E kotë heshtja,
pikllimi është art n'vete!


FRYMZIMI BIE NGA KULMI I POEZISË



Stuhishëm erdhe,
ti paksa n't'hujshëm
e unë e trembur paksa.
Po unë e dija,
furtunat nuk zgjasin shumë
vec se cojnë rrëmujë.
Kisha të drejt.Pas pak të heshtur u gjetëm,
e të stepur në cast
para filizit që edhe qiellin prekte.

Lodhej e e clodhej shpirti
nga druekëputja e drithërimat
tek të mbërrija pak e nga pak.
Ehuu ! Sa ulët mund të binte rrëzimi
nga lartësitë që vetë i ngritëm,
si një poezi e rënë nga kulmi i frymëzimit.

Po tashti... ?
Qiellit të leckosur celen e mshelen dhimbjet.
rreze t'këputura, djegshëm zhbirojnë
e dhëmbin si fjalë të lëna përgjysmë;
e ditura s'ka pse të thuhet,
e heshtura, vec se ndrydh.
Mbijnë poema t'degëzuara
që mbahen rrënjëve të veta.

- N'ashtë!
Ani n'ashtë!
Se kur dhimbja kullohet vesmëngjesesh,
vec aty lindin ndjenja të mëdha.


Friday 30 April 2010

Thursday 29 April 2010

ATY KU JANE TE NGUJARA LUMNITE

KUVENDIMET E SHENJTA LIRIKE
MBI DASHURINË E JETËN
(Në vend të recensionit)



E ndarë në tre cikle, a në tre oratorio, sipas parimit të kompozicionit e sipas strukturimit muzikor, libri poetik "Aty ku janë të ngujuara lumnitë" sugjeron dialogët e shenjtë... me dashurinë, të bukurën, përgjërimin, me ecjen e shenjtë nëpër hapësirat e shpirtit. Krijuesja, duke depërtuar nëpër sa e sa dekada, të themi kushtimisht, nëpër vorbullat e ofshamën e mikrouniversit të saj, ajo e thur lirikën e saj si një memorie lirike të këtij universi të kënduar në epin e saj lirik. Poezitë që e përbëjnë një tërësi interesante, fillimisht gjallnojnë në memorien e krijueses e mandej në trajtën e shkruar të poezisë. Dhe secila prej tyre së pari është tekst, tekst letrar e mandej është ide, motiv, temë: jetë dhe dashuri, baladë dhe pikëllim. Secila prej tyre ka shpirtin e saj, është lule, lumni e ngujuar në vetmi e në varg, në mall e në kohën gjithë thyerje.

1.
Dashuria këtu është temë supreme e artit poetik. Dhe të këndosh për dashurinë, është njësoj si të këndosh për jetën dhe të bukurën, lulen, jargavanin, trëndafilin. Sikur edhe njëherë na ringjallet miti i i dikurshëm i poezisë si mbretëreshë e arteve, si lule mbi të gjitha lulet. Së këndejmi, premisat teorike na ligjërojnë për situatat e pastërtisë burimore, aty ku embrioni i një kënge shfaqet në trajtën e strukturës së mbyllur, ku uni poetik është qendër e universit, botës, aty ku ekziston vetëm një qenie, qenia e poetes në kontekstin tematik të dashurisë:

Të paktit do të dinë,
se poezia lind nga hiri
e kthehet në varg të prushtë
buzësh të përflakta.
Poetja kërkon, eksploron, gjurmon në hapësirat e kësaj ndenjeje universale...Fjala dashuri këtu tingëllon aq e thjeshtë, e drejtpërdrejtë dhe e sinqertë, po aq sa na shfaqet nëpër hapësirat e ndërlikuara të qenies, kur i tërë vëllimi shfaqet si peizazh i dashurisë, si përvojë e ndërliqshme njerëzore, si zgjerim dhe shtrije ideore e kuptimore e fushëveprimit të cilësisë së dashurisë. Te ky peizazh nuk është e habitshme pse fjalët si dhimbje, trishtim, kujtesë, vuajtje, zgjerohet me hapësira të tjera semantike, deri aty ku kjo temë nuk mund t'i shmanget as vdekjes, as fantazmave dhe hijeve të saj. Erosi edhe këtu e ngërthen tanatosin. Subjekti lirik i dashurisë gati sa nuk është një qenie hyjnore, e cila krijon atmosferën me praninë e saj, krijon pranverën dhe vjeshtën, pemën dhe pasionin, emocionin dhe kujtesën, deliret dhe ndarjen, përafrimet dhe mallin. Porse ky folës lirik asnjëherë nuk zbret në rrafshin e një përdhosjeje të kësaj ndenjeje si potencë seksuale. Jo. Kjo ndjenjë shfaqet përherë si imanentë spirituale, si emocion i shenjtë, i përsosur...gati-gati si emocion platonik me pamjet e saj metaforike. Në diskursin e saj lirik, nocionet e dashurisë si dhembshuri e pakufizuar... janë gjithnjë në traditën e thelbit hyjnor të këndimit lirik, një si metafizikë e dashurisë. Vlerat që formojnë këtë diskurs, mbështeten në gamën e gjerë të memories dashurore, me begatimin e marrëdhënieve dashurore, nga njëra anë, si dhe të rolit të metaforave dhe të ligjërimit të figurshëm në thurjen e kuptimeve të dashurisë.

2.
Në struktrën kontrastive të poezisë MEDET, këndohet lajtmotivi i vajit të tashëm për gazin e djeshëm! E djeshmja: buzëqeshje e fatit, gaz nën sytë e tu, një ninullë e ëndshme... E përtashmja: ankth e vaj kujtese, me gjakimin e tashëm për ta ribërë edhe njëherë atë të shkuar të përdiellshme: medet, lulearrat e pjekura që bien për dhe pamëshirshëm, një përkundje e tyre në djepin e shpirtit, një pritje e trishtë, një shtresim dhimbjesh... Ndërkaq, edhe figuracioni i përzgjedhur, metaforika e përdiellshme me krahasimet e ndritshme, funksionalizohet kundruall një zymtësie lirike të përtashme. Folësi lirik (Uni poetik) i drejtohet një kohe, të cilës nuk i ka munguar një Vetje Tjetër, një Vetjeje të Dytë qenieplotë ("si gazin nën sytë e tu dikur") , që i ka dhënë kuptim plotnisë së qenies...mbase me aktin dashuror. Por ribërja është mbase e pamundur, është si një dhimbje për dhimbjen. Lirikën e lind dhimbja, vuajtja...thuhej në antikë. Dhe kjo dhimbje mbi dhimbjen dikur e tash, është tharmi i frymëzimit lirik edhe te kjo poezi.

3.
Teksti i tillë na është personal, i veçantë, tekst i rrëfyer, intim, i sinqertë.... Kategoria e të sinqertës...a nuk e përbën edhe një vatër arti, artin vetë? Poetja sikur na thotë se teksti poetik mund të ekzistojë vetëm në veten e parë. Madje, krijuesja sikur nuk pranon tjetër model të shkrimit poetik. Poezitë janë projektuar nëpërmes kësaj thjerrëze të prekshme, të ndjeshme dhe emotive, kryesisht të diskursit erotik: Unë me Tjetrin, ose pa Të; dhe, aty-këtu, të një diskursi intelektual: unë me veten ose pa veten. Te e fundit, a nuk është ky model që nga burimet e kryehershme të poezisë? Që nga traditat e saj parahomerike?
Nga ana tjetër, sado që thënia e tillë përgjërohet kah misteri i qenies lirike, megjithatë folësi lirik nuk dëshiron të fshehë asgjë, ajo dëshiron t'i zbërthejë enigmat e këtij emocioni memorial. Te poezia, së këndejmi, duke qenë një realitet i strukturuar krejtësisht ndryshe nga ai i mirëfillti, nga realiteti i njëmendët; nuk është e habitshme pse poetja përdor dhe shfrytëzon figurat dhe imazhet mbireale, fantastike, një si botë poetike virtuale. E, në këso rastesh, lirika e këtij vëllimi përafrohet me diskursin modern të botës së ideve poetike, porse pa pretendimin për ta vështirësuar komunikimin lirik dhe pa pretendimin që fjala të mëveshët me shumëkuptimësinë, me polisemantizmin aq të kërkuar të lirikës së sotme. Kjo lirikë, madje, duke i shprehur situatat psikike, emocionale me anë të ritmit krejtësisht të lirshëm poetik; së andejmi i çliron sferat e ndërdijes së folësit lirik, ashtu sikundër kjo lirikë e ngërthen edhe sferën racionale të idesë e të thënies lirike. Hegel do të thoshte se poezia qëndron në shkallën më të lartë të vlerave artistike, pikërisht për faktin që në sintezën e tillë i ngërthen edhe sferën irracionale, edhe atë racionale. Falë elementeve jetësore, biografike, poezia e tillë gati sa nuk bëhet një biolirikë... një biografi e shpirtit të dashurisë. Porse vëllimi në tri oratorio ngërthen edhe funksione të tjera esenciale të ligjërimit poetik. Roman Jakobson do të thoshte se ato funskione thelbësore të këtij ligjërimi na janë funksioni referencial, emotiv, konotativ, faktik, metalinguistik dhe poetik. Këto funksione hetohen zbërthyeshëm edhe t kjo lirikë.

Prend BUZHALA
shkurt 2010

KUVENDIMET E SHENJTA LIRIKE MBI DASHURINË E JETËN (Në vend të recensionit)